“Kërkon të mbysë të gjitha zërat kundërshtarë”

Kryetarja e grupit parlamentar demokrati, Rudina Hajdari, doli në një konferencë për mediat këtë të hënë. Deputetja opozitare pati një komunikim në lidhje me paketën anti-shpifje të propozuar nga qeveria.

Opozita parlamentare është kundër kësaj pakete dhe Hajdari thotë se Rama kërkon të mbysë zërat kundërshtarë. Ajo u shpreh se kreu i qeverisë e ka kthyer opozitën në spektatore dhe vazhdon të abuzojë me pushtetin.

“E kemi ndjekur me shqetësim këtë proces dhe qëndrimi jonë është që Rama vazhdon sulmojë me të gjitha mënyrat të gjithë aktorët kontrollues dhe kritikues ndaj tij. Rama kërkon të mbysë të gjitha zërat kundërshtarë me të gjitha mundësitë që ka në dorë për të mbytur zërin e lirë dhe demokratik në vend. Kështu është edhe rasti i paketës anti-shpifje. Ndërkohë që opozitën e ka kthyer në spektator ai vazhdon të abuzojë me pushtetin. I ka shpallur luftë edhe mediave dhe të gjitha shoqatave që kanë dalur hapur kundër ligjit anti-shpifje”, tha Hajdari.

Deputetja shtoi se paketa e re i ka dhënë kompetenca të shtuara AMA-s duke i dhënë të drejtën që të mbyllë media online pa asnjë urdhër gjykate.

“Si mundet këto institucione që janë të kontrolluara nga pushteti politik të kenë këtë lloj kompetence në kundërshtim me parimet politike”, tha Hajdari që shtoi e gjobat janë të papërballueshme dhe janë premisa të një censure apo autocensure.

Më tej ajo shtoi se “Shqipëria ka një kornizë ligjore që dënon shpifjet dhe gjykata është ajo që merr vendimin, ne gjykojmë se Edi Rama merr kompetenca që nuk i takojnë dhe dobëson reformën në drejtësi duke krijuar struktura paralele siç është paketa anti-shpifje por edhe KÇK. I bëjë thirrje Edi Ramës që të ndalojë degaradimin apo anashkalimin e procesit të reformës në drejtësi. Të lejojë që procesi i reformës në drejtësi të marrë udhën e pakthyeshme. Në zgjidhjem e problemit në lidhje me amendimet në ligjin për mediat, duhet të merren parasysh të gjitha rekomandimet e OSBE-së”.

Hajdari bëri thirrje për ndalimin e procesit të Raminizimit.

“Në kushtet ku jemi sot, duhet të ndalim këto procese që po shkojnë në Ramizimin e Shqipërisë, një model i parë në vende si Turqia dhe rusia. Të mos shkojmë në Erdoganizëm, Putinizëm apo atë se çfarë kërkon të bëjë Rama sot në një Raminizëm që ai ka marrë përsipër”, tha Hajdari./tvklan.al