Rama: S’e ke haberin fare

Fjalimi i kryeministrit Edi Rama për paketën anti-shpifje u shoqërua me replika me deputeten opozitare, Rudina Hajdari. Kjo e fundit deklaroi se kryeministri i ka thënë në fillim kur qëndroi në parlament se do të merrte goditje nga mediat herë pas here dhe atë kohë nuk e mori në mbrojtje. Ndërkohë tani që flet për paketën anti-shpifje kryeministri i ka dalë në mbrojtje duke i kujtuar se çfarë i ka ndodhur.

“Në këtë sallë kryeministri m’u hodh dhe më tha “Rudinë, e more përsipër këtë punë dhe ti do kesh disa goditje të herë pas hershme nga mediat” dhe nuk ishte këtu për të më mbrojtur. Sot që flasim për paketën anti-shpifje, sikur i intereson shumë kryeministrit se ç’bëhet me jetën time, sot del në mbrojtje se kështu ta bënë më përpara. Këto argumente nuk dua t’i qani hallet e mia, nuk dua të qaj hallet e tua, dua të qaj hallet e shqiptarëve”, tha Hajdari.

Por kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk e ka marrë asnjëherë në mbrojtje deputeten. Sipas Ramës, Rudina Hajdari është shembulli i një keqkuptimi të madh pasi sa herë mban fjalime për diçka që nuk e di është viktima tipike, për të cilin ligji i ri merr menjëherë masa.

“Nuk e dua këtë ligj për veten time. S’keni për të më parë ndonjëherë te AMA, por shembujt që solla ishin për të thënë diçka tjetër dhe për ta ndarë me njerëzit. Nuk të mora në mbrojtje sot. Nuk ke nevojë për mbrojtjen time. Të mora si shembull të një keqkuptimi të madh se ti je në fakt një keqkuptim i madh që ndërkohë që flet dhe mban fjalime për diçka që nuk e di, je viktima tipike e gjësë për të cilën ligji merr masë”, tha Rama.

Kryeministri tha se Hajdari i kujton ish-kryeministrin Sali Berisha. Ndërkohë sipas shefit të ekzekutivit, deputetja nuk e ka haberin për paketën anti-shpifje. Kreu i qeverisë u ndal të citonte edhe Kuranin, se si libri i shenjtë i konsideron shpifësit.

“Nëse do ta përmblidhja replikën me një fjali do i referohesha avokat Ngjelës që do thoshte “amanet mushkat”. Më nxorre mallin e liderit legjendar të partisë tënde të vjetër që kur e përdorte atë fjalinë jeni i lodhur ka ikur koha jote.  Ju jeni e freskët Hajdari, koha juaj nuk ka ardhur akoma, por kjo nuk është për të bërë politikë të re siç ju pretendoni, nuk është mënyra për të bërë politikë të re duke mos lexuar ligjin të cilin merr përsipër të flasësh pasi fatkeqësisht nuk e ke haberin fare për ligjin që ne sot do ta miratojmë. Kurani i shenjtë e quan shpifjen aksion çnjerëzor dhe shpifësit i quan mishëngrënës njerëzish që kërkojnë të vdekur. Kështu thotë Kurani i shenjtë. Të ngrihesh dhe të më tregosh putinizmin dhe erdoganizmin dhe të më tregosh se po ndodh një gjëmë e madhe kur po të them që nuk e ke haberin fare dhe një ligj që krahasuar me vendet e BE-së është limonadë. Në Gjermani të marrin shpirtin nëse guxon të shpifësh edhe s’di të japësh pastaj llogari për shpifjen”, tha Rama.

E menjëhershme ishte dhe përgjigja e deputetes Hajdari, e cila tha se në Kuvend është për të bërë ligje dhe jo Kuran.

“Erdhi dhe vajza e Azem Hajdarit do flasë dhe ajo opinionin e vet. Zoti Rama dy fjalë dua t’i ndaj me ju. Ligji më i lartë që duhet të respektohet është ai Kushtetutës dhe jo Kurani. Ju lutem ndajeni këtë çështje se bëjmë ligje dhe Kushtetutë dhe jo Kuran. Ju vazhdoni flisni e flisni. Kam një propozim. Kalojeni këtë proces, më jepni një javë, të ulem me disa ekspertë. Edhe mënyra si është bërë ky ligj i ka anashkaluar të gjitha procedurat që duhet të ndiqte”, tha Rudina Hajdari./tvklan.al