Kryeministri Edi Rama ka lënë të kuptohet se Besim Hajdarmataj u shkarkua nga drejtimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për shkak të hetimit të 613 kg kokainë që u kap në portin e Durrësit.

Gjatë fjalimit në Parlament, Kryeministri u shpreh se hetimi për sasinë më të madhe të kokainës të kapur në Shqipëri, kishte nisur kohë më parë dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet ta kishte hetuar më parë.

“Çështja e kokainës është një hetim që ka filluar më parë dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet ta kishte hetuar më parë. Prokuroria për Krimet e Rënda taposi hetimet për kokainën

“,

u shpreh Rama.

Megjithatë Kryeministri nuk preferoi të fliste më shumë për këtë çështje, duke shtuar se koha do të tregojë të vërtetën.

“Ne presim, ne kemi durim të madh për të mbajtur edhe për të dhënë, me gjithë koston e madhe të perceptimit të opinionit se këtu jemi të gjithë njësoj. E vërteta për hetimin e kësaj çështje mund të vonojë, por do dali

“, tha Kryeministri Rama.

Besim Hajdarmataj u shkarkua dje si kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe në vend të tij u emërua Donika Prela. Hajdarmataj është njëri nga prokurorët që heton dosjen për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ndërkohë, Partia Demokratike sulmoi kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku për shkarkimin e Hajdarmatajt.

/tvklan.al