Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, ka inspektuar pikat e kalimit kufitar në jug të vendit për të parë zbatimin e masave shtesë për sezonin veror 2018.

Hajnaj gjatë inspektimit në këto pika ka konstatuar se masat shtesë për një sezon turistik veror sa më të sigurtë po zbatohen me korrektësi nga ana e Punonjësve të Policisë dhe ka theksuar se zbatimi i këtyre masave ka sjellë më shumë siguri për pushuesit në të gjitha plazhet e vendit.

Aida Hajnaj ka kërkuar që ky angazhim dhe përkushtim të vijojë më me intensitet deri në përmbyllje të sezonit, si dhe ka kërkuar nga punonjësit e policisë performancë më të lartë, në drejtim të shërbimit por edhe të etikës dhe sjelljes, kundrejt qytetarëve dhe uniformës që ata përfaqësojnë.

Gjatë një interviste për mediat Hajnaj ka theksuar se gjatë sezonit turistik nëpërmjet Qafë- Botës kanë hyrë rreth 105 mijë shtetas ku 73 mijë janë shtetas të huaj , si dhe nga porti i Sarandës kanë hyrë rreth 125 mijë shtetas ku rreth 104 mijë janë shtetas të huaj.

Gjithashtu Drejtore Hajnaj ka vlerësuar bashkëpunimin me rojen bregdetare dhe kullat e vrojtimit për dhënien ndihmë pushuesëve që u rrezikohej jeta nga mbytja në det, si dhe bashkëpunimin me homologët për parandalimin dhe goditjen e tafiqeve të paligjshme.

Prononcimi i plotë :

Policia e Shtetit po monitoron çdo ditë zbatimin e masave të sezonit turistik në Pikat e Kalimit Kufitar edhe në plazhe.

Në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar, si në hyrje dhe në dalje janë shtuar sportelet edhe burimet njerëzore, me punonjës të policisë Kufitare, me qëllimin e vetëm për një menaxhim sa më të mirë të lëvizjes në hyrje dhe në dalje të shtetasve, dhe për një shërbim sa më të kulturuar.

Përsa i përket menaxhimit dhe kontrollit në plazhe qëllimi i vetëm është sigurimi i jetës, dhe i qetësisë së pushuesve gjatë pushimeve të tyre verore.

Sot jemi në pikën e Kalimit Kufitar Qafë-Botë, në të cilën po punohet me kapacitet të plotë, si përsa i përket sporteleve në hyrje dhe në dalje ashtu edhe përsa i përket punonjësve të policisë.

Në pikën e Kalimit Kufitar Qafë-Botë, gjatë periudhës së sezonit turistik, që nga Qershori deri në 16 Gusht 2018 kanë hyrë rreth 105 mijë shtetas nga të cilët 73 mijë shtetas janë të huaj.

I njëjti kapacitet mund të themi dhe i njëjti fluks është edhe në Pikën e Kalimit Kufitar Port-Sarandë ku kanë hyrë rreth 125 mijë shtetas nga të cilët 104 mijë shtetas janë të huaj.

Nga Komisariati i Policisë Kufitare Sarandë po punohet dhe po monitorohet dhe po zbatohen me korrektësi të gjitha masat për përballimin me sukses të sezonit turistik veror 2018.

Gjithashtu janë marrë masat dhe po ndiqen me korrektësi zbatimi i detyrimeve ligjore përsa i përket lëvizjes së mjeteve lunduese dhe të motorrëve të ujit.

Prandaj duhet të qartësojmë edhe njëherë se nuk do të lejohet edhe në vazhdimësi lëvizja e mjeteve lundruese edhe e motorrava të ujit në rast se vendbazimet ku ata do të lëvizin nuk janë në respeket dhe sipas vendimit të qeverisë.

Gjatë kësaj periudhe ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë dhe me inistitucionet e tjera që kanë për detyrë dhe funksion zbatimin e masave të sezonit turistik .

Një bashkëpunim shumë të mirë ne kemi pasur edhe me rojen bregdetare përsa i përket patrullimeve në det dhe njëkohësisht për të shpëtuar jetën e pushuesve që u është rrezikuar.

Një bashkëpunim i mirë është edhe me homologët tanë grek, në Pikat e Kalimit Kufitar në kufirin e gjelbër dhe atë detar. Në Pikat e Kalimit Kufitar përsa i përket menaxhimit të fluksit nga të dyja palët për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe të mjeteve , në kufirin detar dhe atë të gjelbër për të evidentuar dhe goditur trafiqet e paligjshme.

Policia e Shtetit do të monitorojë dhe do të menaxhojë deri në fund, sezonin turistik duke zbatuar me korrektësi të gjitha masat e marra, me qëllim mbylljen me sukses të këtij sezoni dhe pa asnjë lloj incidenti.

/tvklan.al