Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijoi fushatën në qytetin e Durrësit këtë të hënë. Ai u ndal te, sipas tij, abuzimet në shëndetësi.

“Çfarë ndodh sot? U njoftoj lajmet e fundit. 10 ditët e fundit të çdo muaji, spitalet, njësitë ambulatore nuk bëjnë dot asnjë analizë sepse paratë i vjedh PPP-ja e analizave me Edi Ramën. E paimagjinueshme. Ndërpriten me urdhër. Pra, shqiptarët mund të bëjnë analiza vetëm 20 ditët e para, të tjerat të gjitha nga xhepi. Turp, hajni e paimagjinueshme!”, tha Berisha.

Një mesazh e pati edhe për socialistët.

“Ne kemi program dhe ne do t’u bëjmë ju krenarë me programin me të cilin do trokisni në çdo dorë tek shqiptarët. Lërini ata me zhapinj dhe hardhuca. Socialistë dhe socialiste, bashkohuni me demokratët, bashkohuni të heqim këtë të keqe të madhe. Ky është program për të gjithë shqiptarët”, tha Berisha.

Ndërsa për krimin e organizuar kishte një paralajmërim.

“Miq, Shqipëria Madhështore kërkon pastrimin e shtëpisë dhe unë jam këtu para jush për t’u zotuar në mënyrën solemne se zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Unë i them nga kjo sallë këtu sot çdo banditi, i them Visit të Pojës, Suel Çelës, Shytëve kudo që janë, se për çdo votë, do keni një vit më shumë dënim. Mos prekni votën e shqiptarëve”, tha Berisha./tvklan.al