Mbi 8 milionë të dhëna të kompanive telefonike nga 2018-2022 hidhen në rrjetet sociale

Hakerat iranianë, kanë publikuar të tjera të dhëna sensitive që kanë arritur që të marrin gjatë sulmit kibernetik në sistemet e policisë dhe në portalin E-Albania.

Në rrjetin social Telegram, ata kanë nxjerrë një database që përfshin mbi 8 milionë numra celularësh të shtetasve shqiptarë. Në publikimin e radhës është përfshirë historiku i të gjithë operatorëve telefonike që operojnë në Shqipëri, gjatë viteve të fundit, konkretisht nga viti 2018 deri në vitin 2022.

Krahas numrave, hakerat kanë vendosur edhe të dhënat personale si emër, mbiemër, emrin e nënës dhe babait, numrin e kartës së identitetit, datëlindjen dhe datë kur është regjistruar numri i celularit. Publikimi i ri shoqërohet edhe me shënimin ku thuhet se linjat telefonike shqiptare janë përdorur në shërbim të aktiviteteve terroriste të muxhahidinëve, në vende të tjera.

Grupi i hakerave iranianë për disa javë radhazi çdo të hënë publikojnë të dhëna sensitive, mes tyre listat dhe emrat e punonjësve të policisë, listat me personat e dyshuar të përfshirë në krime të ndryshme apo të shpallur në kërkim si dhe pamje nga kamerat e sigurisë së komisariateve dhe të sistemit TIMS.

Klan News