iphone (1)

Për herë të parë në histori, sistemi operativ iOS i Apple është i rrezikuar nga hacker –at. Në fillim të kësaj jave, kompania për sigurinë kibernetike Palo Alto Network bëri të ditur se ka zbuluar një malware (program që ka për qëllim dëmtimin e pajisjeve elektronike dhe sistemin e tyre) në disa prej aplikacioneve më të përdorura në Apple Store (dyqanit elektronik), në Kinë.

Sipas The Wall Street Journal, për shkak të këtij programi malinj, disa prej aplikacioneve më popullore në Kinë, si Uber, Spotify, WeChat janë prekur nga ky malware, i njohur si XcodeGhost, që ka për qëllim të vjedhë të dhënat personale të përdoruesëve të telefonave Apple.

Nuk dihet sesa persona mund të jenë prekur nga ky malware, por përdorimi nga të gjithë i këtyre aplikacioneve mund të ekspozojë miliona përdorues. Kompania Palo Alto Nerworks raporton të paktën 39 aplikacione të prekura, ndërsa gazeta britanike “The Guardian”  shkruan se të rrezikuara janë rreth 300 të tilla.

Megjithatë, në një deklaratë të shpërndarë për mediat, një përfaqësues i Apple tha se kompania kishte arritur t’i hiqte aplikacionet e infektuara nga App Store dhe premtoi se po punohet me specialistët për rindërtimin e tyre. /tvklan.al