Grumbullojnë përmes mashtrimit, 100 mijë dollarë kriptomonedha

Profilet në Twitter të figurave të shquara nga bota e biznesit, politikës dhe showbizit në Shtetet e Bashkuara ranë pre e një prej sulmeve të hakerave, që mund të konsiderohet si më i madhi në këtë rrjet social.

Ekspertët thonë se hakerat kanë pasur për qëllim grumbullimin përmes mashtrimit, të kriptomonedhave dhe vetëm nga ky sulm mendohet që ata të kenë përfituar një shumë monedhash virtuale me vlerë mbi 100 mijë dollarë.

Pre e hakerave ranë profilet e miliarderëve, Bill Gates, Xhef Bezos e Ilon Mask, po ashtu edhe të kandidatit demokrat për president Xho Bajden e ish-presidentit Barak Obama, profili i kompanisë Apple, bashkëshortit të Kim Kardashian, etj.

Të gjithëve, hakerat u lanë të njejtin mesazh të postuar në faqen kryesore, ku ndjekësve u bëhej thirrje që të dërgonin 1 mijë dollarë për të përfituar 2 mijë. Twitter reagoi shpejt duke hequr mesazhet, të cilat në disa raste u rishfaqën për herë të dytë e të tretë.

Sulme pati edhe në Instagram, ku një grup hakerash me emrin e profilit “crypto for health” la një mesazh ku shkruhej se “ishte një sulm për bamirësi” dhe se “paratë do të gjejnë rrugën e tyre për në vendin e duhur”.

Tv Klan