Platforma Netflix tashmë ka publikuar pamjet e para të filmit të ardhshëm, “Bruised”, i cili njëkohësisht shënon debutimin regjisorial të aktores së shpërblyer me “Oscar”, Halle Berry.

Në këtë projekt që vjen me skenar të Michelle Rosenfarbit, Berry përveç rolit si regjisore vjen edhe në rolin e protagonistes, Jackie Justice. Ajo është një luftëtare e artit marcial e cila largohet nga ky sport e turpëruar. Disa vjet më vonë, e shtyrë nga inati dhe keqardhja ajo e gjen veten të detyruar të përfshihet në një përleshje brutale nga menaxheri dhe i dashuri i saj Desi.

Kështu, Jackie tërheq vëmendjen e një promovuesi të ligës së luftimeve i cili i premton asaj tia kthejë jetën në rend. Por, gjërat nuk janë kaq të thjeshta, pasi ajo përballet me një situatë më personale kur takohet me djalin të cilin e kishte braktisur si foshnje.

Në dramën e ardhshme amerikane përveç Berryt luajnë edhe aktorët: Adriane Lenox, Sheila Atim, Valentina Shevchenko, Lela Loren, Nikolai Nikolaef dhe Stephen McKinley Henderson.“Bruised” shënoi premierën botërore në kuadër të festivalit të filmit në Toronto, ndërsa do të fillojë së shfaquri në platformën e famshme digjitale, nga 24 nëntori i këtij viti.

Klan News