Ushtrimet fizike për filmin i shërbyen edhe për shëndetin

Edhe pse 53 vjeç aktorja Halle Berry duket shumë në formë. Elegante, sharmante dhe e njohur për mënyrën e shëndetshme të të jetuarit, ajo nuk ngurron të krenohet me trupin e saj dhe sidomos me muskujt e barkut.

Që kur hyri në të pesëdhjetat, aktorja nuk iu nda palestrës dhe për muaj me radhë është ushtruar intensivisht për të qenë në top formë për rolet e ndryshme që i besohen. Këtë radhë, ajo do të shfaqet si një luftëtare në filmin “Bruised”, fakt që justifikon lodhjen e saj në palestër.

Aktorja fituese e çmimit Oscar ka arritur të sigurojë një fizik shumë muskulor dhe për këtë arsye i është besuar edhe roli në këtë film. Ajo tregon se realizimi i këtij roli e ka detyruar atë intensifikojë ushtrimet.

Gjithsesi, ajo pohon se ndihet e kënaqur me gjithçka ka arritur dhe se humbja e 800 deri në 1000 kalori për një orë e ka bërë atë të ndihet e sigurt. Me këtë, Berry kërkon të inkurajojë këdo se format e dëshiruara nuk janë të paarritshme dhe se me më shumë punë gjithçka mund të arrihet.

Tani mbetet të presim se si do të shfaqet ylli i kinematografisë në dramën më të re “Bruised”.

Klan Plus