Hamasi ka propozuar lirimin e plotë të të gjithë robërve të mbajtur në Gaza në këmbim të një armëpushimi të përhershëm dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga enklava.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, ndau planet për fazën e dytë të një marrëveshjeje armëpushimi, e cila përfshin shkëmbimin e propozuar të të burgosurve.

“Ne jemi gati për një fazë të dytë në të cilën të burgosurit do të shkëmbehen me një hap, me kushtin e arritjes së një marrëveshjeje që çon në një armëpushim të përhershëm dhe një tërheqje të plotë nga Rripi i Gazës”, tha Qassem.

Nuk ka pasur asnjë përgjigje zyrtare izraelite për këtë, por brenda sferës politike izraelite, veçanërisht në mesin e krahut të djathtë, nuk ka ende një qëndrim përfundimtare për t’i dhënë fund luftës dhe për të lënë Hamasin në pushtet, ushtarakisht dhe politikisht në Gaza.

Hamasi gjithashtu hodhi poshtë kërkesën e Izraelit për çarmatimin dhe largimin e tij nga Gaza, duke e quajtur atë qesharake.

Propozimi vjen pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump foli kundër lirimit të robërve me faza dhe familjet e atyre që kanë mbetur në Gaza kërkuan që të gjithë ata të lirohen së bashku.

Lirimi i gjashtë pengjeve këtë javë do të shënonte një përshpejtim të marrëveshjes së armëpushimit.

Megjithatë, këto kushte, të cilat duhet të votohen nga kabineti izraelit, janë në kundërshtim me qëndrimet e deklaruara të shumë prej anëtarëve të krahut të djathtë ekstrem të kabinetit të Kryeministrit izraelit Benjamin Netayahu.

Palët duhet ende të negociojnë fazën e dytë dhe më të vështirë, në të cilën Hamasi do të lironte dhjetëra pengje të tjerë.

Klan News