Ky është momenti kur 4 vajza ushtarake izraelite të marra peng nga Hamasi prej 7 Tetorit 2023 kanë takuar familjarët e tyre këtë të shtunë.

Lirimi i tyre është një hap tjetër pjesë e marrëveshjes së armëpushimit mes organizatës që qeveris Gazën dhe Tel Avivit.

Të katërta ushtaraket u dërguan fillimisht në një podium në qytetin e Gazës mes një turme të madhe palestinezësh dhe të rrethuara nga dhjetëra luftëtarë të armatosur të Hamasit.

Ato përshëndetën turmën përpara se të largoheshin dhe të hynin në automjetet e Kryqit të Kuq, i cili i dërgoi ato në Izrael.

Momenti i lirimit prej tyre nga Hamasi është ndjekur me emocione në Izrael, teksa shumë qytetarë e ndoqën të gjithë procesin përmes ekraneve të mëdha të vendosura në sheshe.

Karina Ariev, Daniela Gilboa, Naama Levy dhe Liri Albag u liruan në këmbim të një grupi të burgosurish palestinezë sipas një marrëveshjeje armëpushimi që synon t’i japë fund luftës 15-mujore në Gaza.

Këto janë momentet kur të burgosurit palestinezë priten në Bregun Perëndimor nga të afërmit e tyre.

Izraeli tha se ata që janë dënuar për vrasjen e izraelitëve nuk do të lejohen të kthehen në shtëpi. Rreth 70 do të deportohen në Egjipt, dhe prej andej në një vend tjetër si Turqia, Katari apo Algjeria.

Shkëmbimi i planifikuar i së shtunës është i dyti që nga fillimi i armëpushimit të dielën e kaluar kur Hamasi dorëzoi tre civilë izraelitë në këmbim të 90 të burgosurve palestinezë.

Tv Klan