Hamas dorëzon pengun amerikan Idan Alexander tek operatoret e Kryqit të Kuq. Ushtari izraelit, është dorëzuar nga brigadat Al Qassam në veri të qytetit të Khan Yunis në Rripin e Gazës. 21-vjeçari është i pari ushtar izraelit ende në jetë që lirohet që pas rrëmbimit në 7 Tetorin e 2023.

Familja e tij ka konfirmuar se pritet një takim në Qatar me presidentit amerikan Donald Trump. I dërguari i posaçëm i SHBA Steve Witkoff dhe koordinatori për pengjet Gal Hirsch mbërritën me helikopter në strukturën ushtarake ku pritej pengu.

Më parë kryeministri izraelit Netanjahu u takua me të dërguarin special të SHBA për negocitatat Steve Witkoff, e më pas ka pasur një bisedë telefonike me presidenti amerikan Donlad Trump, duke e falenderuar për ndihmën dhe kontributin në lirimin e ushtarit të forcave IDF. Nga ana e tij, Trump ka përsëritur qëndrimin e mbështetjen ndaj Izraelit sikurse vijimësinë e bashkëpunimit me kryeministrin Netanjahu.

Sipas presidentit amerikan lirimi i tij është një hap i parë drejt fundit te konfliktit. Ndërsa Netanjahu ka thënë se lirimi i ushtarit nuk do të çojë në armëpushim, pasi luftimet do te intensifikohen.

Hamas nga ana tjetër po mban bisedime të drejtpërdrejta me SHBA mbi paqen në Gaza, çka deri tani ka sjellë rinisjen e ndihmave humanitare.

Sipas tyre, është propozuar ndërmjetësuesve një marrëveshje e plotë me Izraelin sipas së cilës, Rripi i Gazës të administrohet nga një organ teknik dhe i pavarur e me fuqi të plota.

Ndërsa ministri i Jashtëm izraelit ka deklaruar se Izraeli mbështet plotësisht iniciativën amerikane për shpërndarjen e ndihmave humanitare, proces që nuk përfshin drejtpërdrejt palën izraelite.

Klan News