Si këmbim kërkon 3 ditë armëpushim

Hamasi ka nisur negociatat për lirimin e 12 pengjeve, 6 prej tyre janë shtetas amerikanë.

Sipas mediave ndërkombëtare, si këmbim po kërkohet që të ketë tre ditë armëpushim. Kjo do të mundësonte dërgimin e ndihmave humanitare nga Egjipti në jug dhe në veri të Gazës.

Izraeli prej kohësh është deklaruar kundër armëpushimit të luftës, duke kërkuar lirimin e plotë të pengjeve.

Ndërsa për herë të parë Tel Avivi mbajti pauzën e parë humanitare katëroreshe për t’ju dhënë mundësinë e largimit të palestinezëve nga jugu i Gazës.

Në tetë frontet e luftimeve, përleshjet vazhduan me ritme më të ngadalta krahasuar me një ditë më parë. Forcat tokësore izraelite vazhduan të kontrollonin rrugën strategjike bregdetare në perëndim të qytetit të Gazës dhe forcuan rrethimin rreth qytetit.

Konflikti i nisur që pas sulmit të 7 Tetorit ishte në fokusin e bisedimeve mes ministrave të Jashtëm të G-7-ës.

Në deklaratën e përbashkët, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Kanadaja, me pjesëmarrjen edhe të Bashkimit Europian bënë thirrje për armëpushim humanitar në Gaza.

Izraelit i njihet e drejta e vetëmbrojtjes përballë sulmit të befasishëm të Hamasit, të 7 Tetorit, ku u vranë 1500 njerëz. Mbrojtja megjithatë, nuk duhet të kalojë kufijtë e përcaktuar nga ligjet ndërkombëtare. Hamasit po ashtu i bëhet thirrje të lirojë 240 pengjet e marra në sulmin në jug të Izraelit.

Tv Klan