Hamilton rrezikon një tjetër penalizim


Hamilton rrezikon një tjetër penalizim

23:50 13/10/2021

Lewis Hamilton mund të marrë sërish një penalitet në këtë sezon për shkak të shqetësimeve se motori Mercedes mund të mos jetë i qëndrueshëm deri në fund të kampionatit.

Shtatë herë kampioni i botës vendosi një motor të ri në Çmimin e Madh të Turqisë e kjo i kushtoi atij pole –position, pasi ai u zhvendos në vend të 11 në nisje.

Piloti britanik e mbylli garën në vend të pestë, ndërkohë që në renditjen e pilotëve ai e humbi kryesimin duke dalë pas rivalit Maks Verstappen.

Tani Hamilton është gjashtë pikë më pak se sa holandezi në luftën për titull, ndërkohë që shefi i skuderisë së Mercedesit Toto Uolf ka refuzuar që të përjashtojë një tjetër penalitet në renditjen e makinave në nisje të një çmimi të madh përpara fundit të sezonit.

“Motori i makinës mund të zgjasë deri në fund të sezonit, por mund të jetë një moment që ne themi se ia vlen që të vendosim një të ri, sepse tjetri mund të rrezikojë.”.

Deri më tani, në makinën e Hamiltonit janë ndërruar katër motorë, një më shumë se sa lejohet në rregulloren e Formula 1.

Piloti tjetër i Mercedesit, Valeri Botas deri më tani ka ndërruar pesë motorë.

Klan News






Të ngjashme