Lajme Arkiva – TV Klan 2002

Hans-Peter Briegel do të jetë trajneri i përfaqësueses shqiptare. Ish-lojtari i kombëtares gjermane, duket se ka pranuar ofertën e federatës tonë të futbollit, për 170 mijë euro për t’u ulur në stolin, të cilin e la bosh italiani Dossena.

Brigel ishte i pari nga kandidatët e tjerë, i cili erdhi për bisedime në Tiranë para dy javësh. Në takimin që pati me presidentin e federatës Armando Duka, u diskutua rreth një kontrate, e cila do ta lidhte gjermanin, deri në përfundim të ndeshjeve eliminatore. Zoti Duka ka pasur një takim në Tiranë edhe me kandidatin tjetër italianin Gabrini dhe ka biseduar në telefon me rumunin Jenei.

Ndërsa pritet zyrtarizimi i Hans-Peter Briegel në stolin e kuq e zinjve, mësohet se ai do të drejtojë Shqipërinë për 6 ndeshje dhe falë kohës së qëndrimit në Shqipëri për të paktën 181 ditë, ai do të ketë avantazhin, që të privohet nga pagimi i taksave në Gjermani, sipas ligjeve të shtetit gjerman.

Ndërkohë, Brigel do të fillojë aventurën e tij me dy ndeshje tepër të vështira në Tiranë, kundër Rusisë dhe Islandës. Për çdo fitore të arritur me këta kundërshtarë, ai do të ketë një shpërblim prej 20 mijë dollarësh./tvklan.al