Nga momentet më të veçanta të karrierës së tij, mes emrave të pafund që ka fotografuar, Fadil Berisha veçon aktoren Halle Berry. Ylli i Hollivudit ka qenë ndër emrat që do t’i jepte hov emrit të tij dhe mënyrën se si, fotografi e tregon në “Rudina” në Tv Klan.   

Fadil Berisha: Halle Berry në atë moment fitoi Oscar dhe grimierja e saj punonte me mua dhe çdo herë ajo shikonte punën time. I thotë” kush është ky fotografi që i do femrat aq shumë, i nxjerr aq bukur të gjitha?” I thotë “është një shoku im Fadili” dhe ajo i thotë “kam dëshirë të punoj me të”. Më merr në telefon dhe më thotë “Fadil, Halle do të punojë me ty,  ajo e adhuron punën tënde”. Pas disa javësh vjen Halle në Nju Jork dhe kishte një fushatë për Revlon, thotë “do të të lërë 4 orë, bëj ç’të duash”. U gëzova, thashë të përgatis veten, të shoh punën e saj, çfarë këndi e kanë fotografuar të tjerët, ta nxjerr në një kënd tjetër. Këto gjëra janë të shkruara. Kur e shikoj, asaj flokët e shkurtra i shkojnë shumë, më shumë se të gjatat, ka një fytyrë të vogël, të imët, por me qafën e gjatë dhe unë thashë do e shkrep nga një kënd tjetër, nga poshtë,  t’ia nxjerr qafën më të gjatë dhe fytyrën aq të bukur sikur ta ndieja që kjo foto do fitonte një Oscar.

Pas disa javësh, agjenti i saj telefonon Fadilin dhe i kërkon që të dërgojë të gjitha fotot pasi Berry dëshironte t’i shihte dhe t’i përzgjidhte. Ajo pëlqeu 16 prej tyre, por ai i kërkoi që mos t’i shfaqte ende pasi nuk ishte ende momenti.  Në momentin kur aktores i akordohet çmimi Oscar, ajo ishte në xhirime për filmin e radhës dhe nuk kishte ende asnjë foto të saj, ndaj të gjitha revistat iu drejtuan fotografit shqiptar. Nga aty, pjesa tjetër ishte thjesht histori.

Fadil Berisha: Fati im të gjitha revistat i dërgojnë te unë. Një revistë, është më e madhja në Amerikë, “People Magazine”, bën “50 femrat më të bukura” për aktoret, hapja e parë ishte dy faqet e mia me Halle Berry./tvklan.al