‘Love Story’ do të rikthehet sërish. Lajmin e dha moderatorja Alketa Vejsiu këtë të hënë gjatë emisionit “Në Kurthin e Piter Pan”. Vejsiu u shpreh se edicioni i dytë do të rinisë në Shtator dhe kësaj here nuk do të ketë vetëm një pretendent, por do të jenë dy. Produksioni ka menduar që të jetë një vajzë dhe një djalë në fron, për zemrën e së cilëve do të luftojnë të gjithë beqarët e beqaret.

“Këtë vit kemi një risi dhe në edicionin e dytë, në Shtator, duam që të prezantojmë jo vetëm një djalë, por edhe një vajzë që do të ketë 20 kandidatët djem. E reja e ‘Love Story 2’ do të jetë që do të kemi një vajzë dhe një djalë në fron”, tha Vejsiu.

Prandaj të gjithë beqarët që e pëlqejnë idenë e një romance televizive publike kanë shansin e tyre. Vejsiu u shpreh se të enjten dhe të premten e kësaj jave janë hapur audicionet për ata që duan të jenë pjesë e këtij edicioni që duket se do të jetë special. “Mund të jeni me fat dhe të gjeni dashurinë, por edhe famën”, tha Vejsiu.

“Janë të mirëpritur që të vijnë ditën e enjte dhe ditën e premte në Televizionin Klan në orën 10:00. Mund të gjeni dashurinë, por edhe të bëheni të famshëm, të filloni një karrierë interesante dixhitale sepse të dyja këto vlejnë për jetën tuaj për t’ju bërë të lumtur. Vini re, vini re! E enjte dhe e premte, ora 10:00 ju presim këtu në TV Klan”, u shpreh Vejsiu. /tvklan.al