Me vendim të shoqatës së afaristëve serb, pas dy ditësh proteste në katër komunat veriore të Kosovës, janë hapur të gjitha dyqanet ushqimore, furrat e barnatoret. Kreu i ekzekutivit Ramush Haradinaj tha se në veri të vendit po kthehet normaliteti pas inskenimit të krizës humanitare atje.

 “Sa i përket veriut nuk ka fituar askush, është me rëndësi që atje po kthehet normaliteti, në kohën kur atje është gjendja siç është ne po i dëgjojmë edhe do debate të vogla të partive opozitare”, u shpreh Kryeministri Haradinaj.

Pas takimit me kreun e Prishtinës, Shpend Ahmeti, Haradinaj ka komentuar edhe zgjedhjen e institucioneve të Bashkimit Europian, me të cilët shpreson të ketë bashkëpunim.

“Është inkurajues që kryetarja e qeverisë e BE-së do jetë një bashkëpunëtore e afërt e Merkelit dhe mendoj që është një inkurajim i madh për Kosovën”, tha Haradinaj.

Por kryeministri nuk ka dashur të flasë lidhur me atë se a do të kthehet dialogu aty ku ka qenë, pra në institucionet e BE-së, duke thënë se është herët të flitet për këtë çështje dhe nuk ka nevojë për panik nga askush.

Tv Klan