Policia identifikon autorët dhe i shpall në kërkim

4 janë personat të cilët dyshohen se mbrëmjen e së martës hapën zjarr në drejtim të një lokali në Dobraç të Shkodrës. Këtë të mërkurë, autoritetet policore njoftuan se kanë mundur të identifikojnë personat në fjalë, të cilët janë shpallur tashmë në kërkim. Ata janë Rivaldo Planaj, Orlando Planaj, Bardhok Planaj dhe Mirsad Shpellzaj.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00. Autorët e dyshuar qëlluan me armë në drejtim të lokalit në pronësi të Alfred Pjetrit, efektiv i forcave “Shqiponja”. Në vendin e ngjarjes u gjetën 33 gëzhoja.

Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati të lënduar, ndërsa motivet mbeten ende të paqarta. Megjithatë, burime për tvklan.al thonë se efektivi i policisë ditët e fundit, teksa ndodhej në shërbim, kishte ndaluar Rivaldo Planajn. Ky i fundit tentoi të mos i bindej policisë dhe debatoi me efektivin Pjetri, i cili i sekuestroi makinën.

Këtë dyshim duket se e ka edhe vetë familja Pjetri. Vëllai i efektivit, Vlash Pjetri, në një prononcim për mediat tha se nuk kishin konflikte me askënd.

“Indicie ka nga më të ndryshmet, por sesa është e saktë kjo mbetet për t’u vërtetuar. Goditja edhe kërcënimi ka qenë për shkak të detyrës të vëllai që është te Shqiponja, kjo na çon, sepse pjesa tjetër ne jemi në punën tonë dhe si kemi lënë vend kujt që të arrijmë në këtë pikë. Nuk e di që ka pasur probleme madhore, mund të ketë ndaluar ndonjë makinë për kontroll letrash, por nuk do të thotë që me mbërritur në këtë pikë”, tha ai.

Autoritetet policore thonë se po punojnë për kapjen e 4 personave të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë./tvklan.al