Hapen zyrat e reja të Njësisë 14 për 70 mijë banorë të zonës së Astirit, Unazës së Madhe dhe të Kasharit. Ndërsa pa nga afër mjediset, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se tashmë banorët do të marrin një shërbim shumë më të shpejtë dhe cilësor.

“Pas shumë vitesh kemi një njësi administrative, pra një lagje e re të Tiranës, ashtu siç ndodhi te Liqeni i Thatë, Kodra e Diellit dhe në zonën e Freskut. Deri dje ishte një komunitet jo i dyzuar, ‘i trezuar’, një pjesë shkonte në Kombinat për shërbime, një pjesë tjetër në Kashar, një pjesë tjetër te ’21 Dhjetori’. Sot s’ka më nevojë”.

Kryebashkiaku Veliaj tha se e gjithë kjo zonë do të përfitojë një sërë investimesh të rëndësishme.

“Kemi një buqetë investimesh për gjithë komunitetin, duke filluar nga bulevardi i Kasharit. Puset nuk mund të vazhdojnë më të mbajnë një komunitet me 70 mijë banorë, ndaj filluam investimin për dyfishimin e Bovillës për herë të parë pas 20 vitesh, që uji të vijë i paprekur, i pavjedhur, i pacenuar. Do të ndërtojmë një linjë transmetimi me materialet më bashkëkohore, të padepërtueshme, që mund të kalojnë në të gjitha zonat informale të bashkive të tjera”.

Veliaj ftoi banorët të tregohen bashkëpunues dhe të transferojnë pa asnjë pagesë gjendjen civile të tyre në njësinë e re.

Tv Klan