Rama: Shumë shpejt kthehemi në eksportues të energjisë elektrike

Shqipëria hapi zyrtarisht ankandin për kompanitë që kërkojnë të investojnë në fushën e prodhimit të energjisë nga era. Në total do të priten aplikime për një fuqi instalimi të parqeve eolikë prej 100 MegaVat në total, ku vlera minimale e një projekti duhet të jetë 10 Megavat dhe maksimalja 75 Mega.

Investimet në këtë fushë, bashkë me dy projekte të mëdha në ndërtimin e parqeve me energji diellore, për kryeministrin Edi Rama, pritet që ta kthejnë shumë shpejt Shqipërinë në një eksportuese të energjisë elektrike përmes burimeve të energjisë së rinovueshme: ujit, diellit dhe erës.

“Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën drejt Shqipërisë 2023 dhe në përmbushjen e ambicies tonë për ta kthyer Shqipërinë në eksportues neto të energjisë elektrike dhe njëkohësisht eksportues të një energjie të gjelbër të rinovueshme.”

Ndryshe nga ankandet e energjisë diellore, këtë herë toka ku do të ndërtohen parqet nuk do të vihet në dispozicion nga shteti, por firmat e interesuara do të marrin një studim i cili do t’i orientojë ato në vendet më fizible sa i përket fuqisë së erës dhe zonat e mbrojtura mjedisore ku nuk lejohet ndërtimi.

“Kemi bërë një studim i cili do të merret nga kompanitë që do të marrin pjesë, do të jepen zonat e mbrojtura ku nuk lejohet ndërtimi i parqeve eolike dhe zonat me fizibilitet më të mirë për të investuar, janë 20% e territorit.”

Kompanive që do të investojnë në gjenerimin e energjisë nga era do t’i garantohet për 15 vjet blerja e energjisë nga kompania OSHEE kundrejt një çmimi maksimal prej 75 euro për Megavat. Ankandi përfshin dy faza: për 12 muaj shoqëritë e interesuara do t’i nënshtrohen analizës teknike dhe financiare nëse janë të afta për të investuar në këto parqe, dhe në fazën e dytë do të përzgjidhen ofertat që kanë dhënë çmimin e blerjes së energjisë nga OSHEE më të ulët se 75 Euro.

Tv Klan