Kosova kujton demonstratat e vitit 1981

Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës ka hapur ekspozitën “Vullkani i Republikës”, për nder të 40-vjetorit të demonstratave të viti 1981. Ky institucion në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka hapur edhe ekspozitën “70 vjet Arkiv”.

Hafiz Mehmeti nga Prishtina i ka të freskëta kujtimet e demonstratave të 81-t në të cilat kishte marrë pjesë. Por nga ajo kohë ai thotë se është marrë edhe me aktivitete të tjera derisa ishte kërkuar nga policia jugosllave dhe është detyruar të marrë rrugën e mërgimit në vitin 1991.

Në këto dy ekspozita shihen dokumentarë të vjetër që paraqesin vlerat dhe fragmente të aktgjykimeve të ndryshme që organet gjyqësore të kohës u kanë shqiptuar organizatorëve të demonstratave.

“Marsi i këtij viti na solli para një fakti të rëndësishëm, e para demonstratat e vitit 1981 dhe e dyta 70-vjetori i Arkivave të Kosovës dhe për këtë arsye kemi përgatitur këto dy ekspozita”.

Më 11 Mars 1981, studentët nga Universiteti i Prishtinës nisën protestën duke bërë thirrje që Kosova të bëhej republikë. Shumë u arrestuan nga policia jugosllave.

Demonstratat e studentëve në Mars u përshkallëzuan në një zinxhir protestash në Prill dhe autoritetet jugosllave vendosën një gjendje të jashtëzakonshme dhe dërguan forca të sigurisë për të shtypur demonstratat. New York Times në atë kohë kishte shkruar se 9 persona kanë vdekur në këto protesta.

Tv Klan