Të ardhurat nga tarifa parashikohet të arrijnë në 4.1 mld €

Është hapur zyrtarisht tenderi ndërkombëtar për të pritur ofertat e kompanive të cilat do të shfaqin interes në ndërtimin e një prej veprave më të mëdha në infrastrukturë të 8 viteve të fundit, segmentit 115 kilometra Milot-Fier.

Qeveria përllogarit që kompania e cila do të ndërtojë rrugën prej 53 kilometrash nga Miloti në Lekaj dhe do të rehabilitojë segmentin ekzistues prej 62 kilometra nga Lushnja në Fier, duhet të investojë 1.18 miliardë Euro me fondet e veta, të cilat më pas do t’i kthehen përmes tarifës 7.5 Euro për 100 kilometra që do të vendosen për automjetet që do të kalojnë në këtë aks.

Buxheti i shtetit i garanton kompanisë vetëm 10% të vlerës së investimit, jo më shumë se 121.3 milionë Euro në 16 vitet e para.

Në skenarin bazë, llogaritet që prej nisjes së aplikimit të tarifës në vitin 2024, e deri në fund të kthimit të autostradës në pronësi të shtetit pas 35 vjetësh, të ardhurat nga tarifa të arrijnë në 4.1 miliardë Euro.

Gara do të përzgjedhë fituese ofertën e cila do të pranojë të ndajë përqindje më të lartë me shtetin nga të ardhurat shtesë që do të vilen, të kombinuar me çmimin më të lirë të tarifës së kalimit.

Paralelisht me ndërtimin e aksit të ri, i cili do të jetë i kategorisë së një rruge me shpejtësi të lartë, do të ndërtohen edhe rrugë dytësore për automjetet që do të zgjedhin të udhëtojnë pa pagesë.

Tv Klan