Veliaj: Do ndërtohet në të njëjtin vend, nuk do ketë kullë

Hapet gara ndërkomëbtare për ndërtimin e Teatrit  të ri Kombëtar. Projekti fitues i arkitektit danez Bjarke Ingels, pritet të vihet në zbatim në Janar të vitin që vjen. Gjatë fjalës së tij kryebashkiaku Erion Veliaj tha se gara për ndërtimin e teatrit të ri do të zgjasë 60 ditë dhe më pas do të nisë puna në kantier.

“Ajo që ne kemi vendosur është që të mos presim për teatrin. Sot jemi në prag të fitores më të madhe, besoj nga të gjithë betejat që janë politizuar dhe janë bërë në qytetin e Tiranës, që ka të bëjë me Teatrin Kombëtar. Unë jam gati të vë bast sot, do jetë patjetër një vend që do fitojë çmime e padyshim teatri më i bukur në rajonin tonë”.

Duke iu rikthyer akuzave të opozitës, Veliaj tha se teatri i ri do të ngrihet në të njëjtin vend ku ishte Teatri Kombëtar.

“Nuk do të ketë asnjë kullë, do të ngrihet aty ku ka qënë por 3 herë më i madh seç ishte dhe disa herë më komod seç ishte”.

Kryebashkiaku Veliaj tha se teatri i ri do jetë një godinë e denjë për artistët.

“Ndihem sot shumë krenar për gjithë skuadrën tonë që ka punuar. Janë rreth 800 fletë projektimi. Sigurisht që për shumicën e kompanive, shpresoj për të gjitha, aksesi do jetë dixhital. Pra, nuk ka më nevojë njeri të vijë në bashki me një gjysmë kamioni e të marrë gjithë materialet e projektimit për të bërë një ofertë për ndërtimin e teatrit të ri.Detyra jonë të ndërtojmë një teatër që t’u shërbejë të majtëve dhe të djathtëve: Kush është serioz dhe kush nuk do ta përdorë historinë për të bërë histeri duhet ta shohë të vërtetën ashtu siç është. Detyra jonë nuk është që të na pëlqejnë të gjithë. Detyra jonë është t’u shërbejmë të gjithëve. Detyra jonë është bëjmë një teatër, ku do vijnë si të majtë, si të djathtë”.

Projekti i arkitektit Bjarke Ingels përfshin një sallë të madhe shfaqjesh me 635 vende dhe dy salla black box me nga 350 dhe 150 vende. Tarraca e ndërtesës është projektuar për një teatër të hapur me 500 vende. Projekti parashikon edhe një sallë muzeale të kujtesës. Godina në total do të jetë 9 kate, 7 kate mbi tokë dhe 2 nëntokë ku do të përfshijë ambiente teknike, parking, si dhe sallën e provave.

Tv Klan