Hapet gara për projektin e portit të ri tregtar në Porto Romano




Hapet gara për projektin e portit të ri tregtar në Porto Romano

15:42 10/06/2021

Pritet që brenda vitit të nisin punimet, drejt mbylljes edhe marrëveshja me EMAAR

Autoriteti Portual i Durrësit ka hapur garën për projektin që do të ketë porti i ri tregtar në zonën e Porto Romanos duke i hapur rrugë nisjes së punimeve për kthimin e portit të Durrësit në port turistik.

Projekti do të përfshijë ndërtimin në zonën ku ndodhet sot porti energjitik të katër terminaleve : një për mallrat e përgjithshëm dhe drithërat, një për materialet e ndërtimit, mineralet dhe qymyret dhe terminalin e mbetjeve, ndërsa terminali i pasagjerëve do të vijojë të qëndrojë i stacionuar pranë portit ekzistues.

Në total dizenjimi i projektit të portit të ri tregtar do të kushtojë 9.5 milion euro dhe pritet të përfundojë brenda 8 muajve, duke i hapur rrugë nisjes së punimeve brenda vitit.

Projekti i portit parashikohet të lidhet përmes një linje hekurudhore me zonën teknologjike të Spitallës si dhe do të parashikojë lidhjen direkt me akset kombëtare të zonës dhe pjesën logjistike të Shkozetit.

Njëkohësisht me nisjen e punimeve në zonën e Porto Romanos, pritet edhe shndërrimi në port turistik i atij të Durrësit, ku qeveria është në bisedimet finale me kompaninë e Emirateve të Bashkuara EMAAR për të investuar 2 miliard Euro në këtë projekt.

Sipas burimeve zyrtare, ndërtimi i portit të ri tregtar do të kushtojë 500 milionë Euro dhe mendohet të jepet me koncesion për t’u ndërtuar me burimet financiare private, ndërsa mbikëqyrja e tij do të bëhet nga Autoriteti Portual.

Tv Klan





Të ngjashme