Puna për ndërtimin e spitalit të ri të Fierit ka nisur. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja Belinda Balluku dhe ministrja Ogerta Manastirliu ka vizituar kantierin e punës që është hapur e që mes Presidentit Erdogan dhe kreut të qeverisë është vendosur një bast. E këtë bast, Rama nuk ngurroi t’ia kujtonte inxhinierëve që do ndërtojnë spitalin.

“3 muaj janë, s’ka kohë më të shpejtë të mundshme, 3 muaj janë”, tha Rama.

“Ne do ta bëjmë sa më shpejt, jemi në dijeni të pozicionit që kemi dhe presionit që kemi”, u shpreh inxhinieri.

Nga ana tjetër kryeministri kërkoi që familjet që janë shpronësuar nga toka ku do të ndërtohen ambientet e reja të nisin punën në kantier bazuar në aftësitë që ata kanë.

“Unë kam një kërkesë që atyre familjeve që janë shpronësuar me mirëkuptim duhet t’i takosh dhe që nga ai zotëria që unë fola atë ditë t’i ofroni mundësinë që të punojnë këtu, në çfarëdo lloj pozicioni që ata mund të punojnë, duke pasur parasysh aftësitë dhe nevojën e tyre për të qenë të punësuar këtu. Që nga roje kantieri, teknikë, punëtorë se nuk e di çfarë aftësish kanë”, tha Rama.

Ministrja Balluku tha se deri të hënën, në kantierin e spitalit të ri të Fierit do të përfshihen 200 punonjës dhe 20 inxhinierë. Por deri në përfundim të procesit, pritet që të punësohen gjithsej 1200 punonjës. Balluku tha se punimet janë brenda afateve edhe për shkak të bashkëpunimit me të gjitha institucionet./tvklan.al