Kryeministri Edi Rama vlerëson se pesha e investimeve të huaja në Shqipëri vitet e fundit është rritur, por ai i konsideroi ato si të pamjaftueshme. Kreu i qeverisë ishte në inaugurimin e nisjes së punimeve të një kompanie të huaj, e cila do të nisë prodhimin e pjesëve automobilistike në Fier dhe synon të punësojë 600 punëtorë në fazën e parë, duke çuar në 4 mijë numrin e të punësuarve gjatë fazës së fundit të investimit.

 “Janë shifra domethënëse, por janë shifra të pamjaftueshme për Shqipërinë që duam dhe që synojmë t’i afrohemi në një kohë më të arsyeshme për padurimin dhe pritshmërinë e njerëzve, sesa koha që do të duhej në kushtet e një situate më pak të mbushur me pritshmëri dhe me padurim, pra, kjo do të thotë që kemi nevojë për shumë më tepër investime të huaja”.

Për kryeministrin

Rama programi “Shqipëria 1 euro” është transformuar nga një ligj që falte

pasuri shtetërore, te një plan konkret investimesh e nxitje punësimi, duke

marrë si rast investimin që po bëhet nga firma aziatike.

 “Më vjen shumë mirë po ashtu që kemi transformuar programin e Shqipërisë “1 euro”, nga një program për falje kapanonesh, ish-uzinash, apo pronash shtetërore të mbetura sot e gjithë ditën djerrë,si rezultat i kontratave tërësisht të pambështetura në plane serioze dhe në kompani serioze investimesh”.

Kryeministri tha se shumë shpejt do të ketë disa projekte konkrete investimesh të huaja në fushën e turizmit dhe zhvillimit të porteve, ndërsa zbuloi se ka një interes të shtuar nga kompanitë e mëdha në fushën e naftës për të investuar në vendin tonë pas gjetjes së lëndëve hidrokarbure në zonën e Shpiragut.

Tv Klan