Një gropë gjigande u hap në tokë, pranë spitalit Ponticelli në Napoli të Italisë, pas zhurme të fuqishme që fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një shpërthim. Spitali, që shërben për të sëmurët me Covid u evakuua menjëherë.

Gropa përpiu makinat që ndodheshin të parkuara në zonë, ndërsa për momentin nuk raportohet për viktima apo të plagosur. Shërbimet e zjarrfikëses rrethuan të gjithë zonën, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën për t’u siguruar nuk ka persona të bllokuar në automjetet që ranë në gropë.

Kjo e fundit përllogaritet të jetë rreth 50 metra e gjerë dhe 15 metra e thellë. Ajo u hap në zonën e parkingut të stafit të spitalit, rreth orës 06:45.

Zyra e prokurorit në Napoli tha se kishte nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes. Dyshimet e para janë se mund të ketë pasur një shpërthim të tubacioneve nëntokësore të oksigjenit të spitalit, ose një rrjedhje që mund të ketë shkaktuar grumbullim të gazit e për pasojë edhe shpërthimin./tvklan.al