Me dhjetëra familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre pasi një gropë gjigande u hap në Romë, duke marrë me vete 6 automjete.

Imazhet e postuara në media tregojnë automjetet e fundosura në gropën rreth 9 metra të thellë, e cila u hap në veri-perëndim të kryeqytetit italian.

Sipas asaj që shkruajnë mediat, brenda gropës përfunduar automjetet që ishin parkuar aty pranë dhe rreth 60 persona u detyruan që të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre, kur një pjesë e rrugës u shkatërrua.

Gjatë muajve të fundit në këtë zonë janë ndërmarrë disa punime dhe banorët thonë se kishin ndjerë shtëpitë e tyre që lëkundeshin disa ditë më parë.

Ngjarja në fjalë ndodhi rreth orës 18:00 të së mërkurës. Policia dhe shërbimet e emergjencës shkuan në vendngjarje megjithatë fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.

Personat e evakuuar janë vendosur nëpër hotele, derisa autoritetet të sigurohen se zona nuk përbën më rrezik për banesat e tyre.

Shkaku i hapjes së kësaj grope gjigante po hetohet. Dyshimet e para janë se riparimet e ndërmarra gjatë muajve të fundit në këtë zonë, për shkak të një rrjedhje të madhe uji, mund të kenë çuar në hapjen e saj.

/tvklan.al