Parku Disneyland në Hong Kong do të rihapet këtë të enjte. Sikundër është bërë edhe në vende të tjera të cilat janë rihapur pas pandemisë, edhe këtu numri i vizitorëve do të jetë shumë herë më i vogël.

Atyre do t’iu matet temperatura në hyrje të parkut dhe nëse rezulton që të jetë e lartë do të rikthehen në shtëpi.

Vizitorët do të jenë të detyruar të mbajnë maska dhe doreza. Dezinfektantët dhe solucione të tjera do të vendosen në çdo vend të Disneyland.

Ndryshe nga vendet e tjera, autoritetet në vend iu kanë kërkuar njerëzve që të pajisen me një certifikatë mjekësore që vërteton nëse ata kanë qenë mbartës së Covid-19 ose jo. Kjo vlen për të gjitha atraksionet kulturore të cilat janë në pritje për t’u hapur.

Parku i Oqeanit është një tjetër park që rihapet këtë të shtunë, i cili një vit më parë në këtë periudhë vizitohej nga miliona turistë nga e gjithë bota.

Qeveria në Hong Kong ka aprovuar një fond prej gati 5.4 miliardë Dollarë për të ndihmuar bizneset dhe familjet pas goditjes nga pandemia e Covid-19.

Ndërsa shumë kufizime janë hequr gradualisht, kufijtë e Hong Kongut mbeten pothuajse plotësisht të mbyllur dhe tubimet në grup janë të kufizuara në 8 persona.

Aktualisht Hong Kongu numëron 1113 të prekur dhe 4 vdekje që kur pandemia u përhap.

Klan Plus