Duke nisur nga 1 Korriku, Greqia vendosi që të hapë pikat e kalimit kufitar për shqiptarët.

Autoritetet e Policisë Greke, kanë njoftuar palën shqiptare se do të lejohet hyrja për në Greqi, për qytetarët shqiptarë me pasaportë, qytetarët me leje qëndrimi greke dhe shtetasit e tjerë europianë. Ata duhet të jenë të pajisur me testin e Covid-19 dhe të kenë të plotësuar formularin e regjistrimit PLF në adresën www.travel.gov.gr.

Hyrja në Greqi do të bëhet vetëm pasi ata të kenë marrë konfirmimin. Lejohen gjithashtu të hyjnë në Greqi, mjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusë, drejtuesit e të cilëve duhet të bëjnë regjistrimin e formularit PLF dhe duhet t’i nënshtrohen një testi të shpejtë COVID-19, pranë palës greke të kësaj pike kalimi.

Pika e Kalimit Kufitar Kapshticës dhe Kakavijës kanë njoftuar se do të funksionojnë 24 orë, pa orar të limituar. Gazetarja Danjela Zisi raportoi për Klan News se situata në Kapshticë është e qetë megjithatë janë marrë masa për të përballuar edhe një fluks të udhëtarëve. Kujtomë që kufiri mes Greqisë dhe Shqipërisë ka qëndruar i mbyllur për më shumë se 7 muaj.

“Aktualisht në Kapshticë situatat është e qetë, është normale, ka pak lëvizje. Me ata qytetarë që kam mundur të bisedoj, një pjesë e tyre ishin turistë që udhëtonin tranzit nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Autoritetet doganore të Kapshticës kanë marrë masat për të përballuar një fluks të mundshëm të qytetarëve shqiptarë që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, udhëtim i cili ka qenë i pamundur prej më shumë se 7 muajsh”, raportoi gazetarja./tvklan.al