Në Giza të Egjiptit është zbuluar një koleksion i madh me sarkofagë dhe mumje që besohet se janë 2500-vjeçare.

Për herë të parë, arkeologët kanë hapur përpara mediave një nga sarkofagët, brenda të cilit kishte eshtra të mumifikuara të mbështjella me disa rroba të cilat kanë mbishkrime.

Arkeologët i zbuluan mumjet në vendin e quajtur Saqqara Necropolis, në jug të Kajros, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO.

Bëhet fjalë për 59 arkivolë të gjetur, të pikturuar me figura dhe ngjyra. 40 prej tyre u shfaqën për mediat dhe publikun. Brenda arkivoleve ka skelete njerëzore të mumifikuara, që sipas studiuesve, besohet të kenë qenë priftërinj, zyrtarë të lartë dhe shtresa elitare e shoqërisë së lashtë egjiptiane.

Ministri egjiptian i Turizmit tha se është shumë krenar për gjetjet e bëra nga ekipi i arkeologëve, dhe shtoi se sarkofaget do të vendosen në Muzeun e Madh Egjiptian për t’u shfaqur për publikun. /tvklan.al