Do të lejohet të kalojnë 400 persona në ditë

Pas gati 6 muajsh e mbyllur Greqia hap pjesërisht pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Duke filluar nga kjo e shtunë, deri në datën 31 maj, nga ora 08:00-16:00, për të gjithë shtetasit shqiptarë që mbajnë statusin e punëtorit sezonal do të lejohet hyrja në drejtim të Greqisë.

Autoritetet e Policisë Greke kanë njoftuar palën shqiptare se këta shtetas më parë, do t’i nënshtrohen një testi të shpejtë në Pikën e Kalimit Kufitar.

Në rregullat e vendosura, parashikohet një kuotë ditore e pranimit jo më shumë se 400 persona, të cilët gjithashtu duhet të plotësojnë online një formular regjistrimi dhe pasi të kenë marrë konfirmimin, mund të lejohen që të hyjnë në tokën greke.

Ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, për të gjithë shtetasit dhe kategoritë e mjeteve.

Si rrugë hyrjeje në vendin fqinj, kategoritë e tjera, si shërbim taxi, mjete të tonazhit të rëndë apo shtetas me leje qëndrimi, shtetas grekë apo europianë të tjerë, mund të përdorin pikën kufitare të Kakavijës sipas rregullave të vendosura më parë.

Tv Klan