Në qafën e Murrizit kalohet me By Pass. Aksi i plotë, në Prill të 2022

Ashtu siç kishte premtuar, 29 Nëntori e gjeti të hapur për qarkullim Rrugën e Arbrit.

Për dibranët ëndrra e kahershme u kthye në realitet, ndaj dhe kalimin në këtë aks rrugor e përjetuan si festë.

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se provizorisht do të kalohet me By Pass në tunelin e Murrizit, ku për shkak të formacioneve gjeologjike komplekse puna ka ecur me ritme më të ngadalta.

“Problemi qëndron në gjeologjinë e tunelit të Murrizt, tuneli më i gjatë dhe më kompleks i kësaj vepre 3.8 kilometra. Pjesën në qafën e Murrizit e kemi zgjidhur me By Pass që është i gjatë 8.8 kilometra , By Pass provizor, pasi do vazhdojmë një pjesë të punimeve. Kontrata ka afat fundin e Prillit 2022 dhe ne do bëjmë të pamundurën për ta dorëzuar në kohën e duhur”.

Me përfundimin e punimeve, ky aks rrugor do të përshkruhet për vetëm 47 minuta, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot dhe nga 4 orë që bëhej vite më parë.

Rruga e Arbrit kalon në 6 tunele, pesë prej të cilave kanë përfunduar, si dhe dy ura, ajo e Vashës dhe e fshatit Fshat, që është edhe më e larta në Ballkan.

Punimet për segmentin 61.4 kilometra të gjatë kanë kushtuar 253 milionë Euro. Ato nisën që në vitin 2009, por për shkak të vështirësive që hasi projekti, afati i përfundimit u shty disa herë.

Pjesa më e vështirë e kësaj vepre infrastrukturore ka qenë segmenti nga Ura e Brarit deri në Qafën e Murrizit, ku tuneli nuk do të jetë ende funksional.

Ky investim i strategjik, jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do jetë njëherazi një arterie e zhvillimit ekonomik dhe turizmit.

Tv Klan