Manastirliu: Ofron më shumë shërbime dhe me apartura moderne

Në Spitalin Universitar të Traumës është hapur Spitali i Ri i Sëmundjeve të Brendshme. Teksa inspektoi godinën e re, ministrja Ogerta Manastirliu tha se është krijuar një tjetër qendër reference me standarde bashkëkohore.

“Brenda pak muajve, kemi dy investime të cilat janë në zemër të sistemit shëndetësor publik, Spitalin Qendror të QSUT-së dhe Spitalin e Sëmundjeve Interne këtu në Spitalin Universitar të Traumës, një investim i qeverisë shqiptare, me 60 shtretër, me kapacitete tashmë të shtuara, një investim i cili jo vetëm do të mundësojë një shërbim akoma më cilësor për pacientët që do të marrin shërbime këtu, por nga ana tjetër do të mundësojë zgjerimin e shërbimit intern në rang vendi.”

Manastirliu foli edhe për zgjerimin e personelit me mjekë specialistë dhe pajisjen me aparatura të teknologjisë së lartë.

“Ne do të riorganizojmë strukturën e këtij spitali, duke i dhënë mundësinë që Spitali i Sëmundjeve të Brendshme të ketë më shumë mjekë të specialiteteve të ndryshme, për të plotësuar të gjithë gamën e shërbimeve, por edhe për të rritur kapacitetet brenda këtij spitali, e nga ana tjetër për të mundësuar vijimin e investimeve. Kemi vijuar investime në teknologji dhe pajisje, sa i përket cilësisë të shërbimit klinik është vërtetë shumë i lartë, sepse investimet në teknologji janë ato që ne jemi duke i bërë vazhdimisht.”

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në Spitalin Universitar të Traumës është i dedikuar për shërbimet e kardiologjisë, pneumologjisë, neurologjisë dhe mjaft shërbime të reja. Spitali Universitar i Traumës pret rreth 70,000 urgjenca në vit, nga të cilat 20,000 urgjenca kirurgjikale dhe 50,000 urgjenca të traumave.

Klan News