Ofertat priten deri më 26 Maj, ndërtohen 889 shtëpi të dëmtuara

Qeveria ka hapur për herë të dytë garën për rindërtimin e banesave individuale në zonën e kryeqytetit, të cilat u dëmtuan gjatë tërmetit të 26 Nëntorit.

Fondi limit i tenderit është rritur nga 18 milionë dollarë herën e parë, në 21 milionë dollarë herën e dytë. Televizioni Klan ka mësuar se gjatë garës së parë, të gjitha ofertat e dhëna nga kompanitë pjesëmarrëse ishin më të larta se fondi i përcaktuar, çka bëri që qeveria të ndryshojë vendimin për buxhetin e rindërtimit të banesave private në Tiranë.

Objekti i kontratës këtë herë përfshin edhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike që dëmtohet në funksion të procesit të rindërtimit.

Procedura e zgjedhur është “Tender i kufizuar”, e cila do të lidhet me marrëveshje kuadër me operatorin ekonomik që do të jetë fitues, ndërsa procedura është zgjedhur e përshpejtuar për shkak të emergjencës që ka procesi.

Bashkia e Tiranës si autoritet kontraktor do të presë ofertat deri më 26 Maj dhe po këtë datë do të bëhet hapja e tyre. Në bazë të grafikut të punimeve që kërkohen të kryhen, banesat duhet të përfundojnë brenda 8 javëve nga nisja e ndërtimit.

Projekti parashikon ndërtimin e 889 banesave individuale 1+1, 1+2 dhe 1+3 në të gjithë qarkun e Tiranës.

Tv Klan