Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur zyrtarisht tenderin për dhënien më koncesion të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Thumanë-Fushë Krujë-Vorë-Kashar.

Projekti parashikohet të përfundojë pas 2 vjetësh, ndërsa për 11 vjet, firma që do të bëjë ndërtimin do të marrë përsipër edhe mirëmbajtjen e veprës. Financimi do të bëhet me paratë e privatit, për t’u shlyer më vonë nga buxheti.

Autostrada me 4 korsi do të jetë e gjatë 20.8 kilometra dhe gjurma e saj do të fillojë 150 metra në brendësi të autostradës ekzistuese që lidh Milotin me Thumanën e më pas do të vazhdojë e drejtë deri në Fushë Krujë, ku me anë të një kthese të dyfishtë do t’i afrohet Aeroportit të Rinasit dhe një gjurmë tjetër e saj do të lidhet me autostradën Tiranë – Durrës në pjesën e Kasharit.

Aktualisht kompania Gener 2 ka bërë ofertën e pa kërkuar për ndërtimin e rrugës me një vlerë 244.2 milionë euro, ndërsa qeveria e ka shpallur tenderin me fond limit prej 245.7 milionë euro. Firma Gener 2 ka marrë dhe bonusin prej 8.5 pikësh për fillimin e garës, ndërsa favorit për pikët më të larta në tender do t’i ketë ndërtuesi që do të sjellë projektin më të mirë teknik.

Kontrata, thuhet në dokumentet e tenderit, do të jetë e formës “me çelësa në dorë”, ku ndërtuesi detyrohet të dorëzojë rrugën pa defekte të fshehura, pasi në të kundërt do të përballojë vetë kostot e ndërtimit.

Tv Klan