Nga sot, Tirana nis një erë të re në epokën digjitale pas Parisit, Berlinit dhe Yerevanit. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) çelën sot në mjediset e stadiumit “Arena Kombëtare”, TUMO Tirana, qendrën më të madhe të teknologjisë që synon të aftësojë të rinjtë me njohuritë e shek. të 21 duke ofruar kurrikula në fushën e inovacionit dhe artit. Në fjalën përshëndetëse ku ishte edhe kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se kjo nismë synon t’u japë fëmijëve dhe atyre që guxojnë, një mundësi për t’i treguar sot botës mbarë se çfarë talenti kanë.

“Secili prej nesh edhe këtu ka ardhur vetë si i “çmendur”. Edi Rama ishte një i “çmendur”, kur thoshte që ne do të bëjmë Lanën dhe Parkun Rinia. Fondi Shqiptaro-Amerikan ishte i “çmendur” kur mendoi që do bënin, Pazarin e Tiranë, Korçës apo Krujës. Ne në Bashki na thonë të “çmendur” shpesh për çdo iniciative, duke filluar nga gjëra modeste si një kënd lodrash, apo të tjera që ngjallin më shumë reaksion. Por mesa duket janë të “çmendurit” ata që i ndryshojnë gjërat. Unë besoj që sot fillojmë një shtëpi të “çmendurish”, të atyre që kanë ide, të atyre që refuzojnë të ndalojnë me talentin e tyre dhe kreativitetin e tyre. Unë besoj që e ardhmja është e të “çmendurve””, u shpreh Veliaj.

Nga nesër TUMO do të fillojë dhe rekrutimin e 1 mijë fëmijëve të parë të moshës 12-18 vjeç.

“Kështu që ne do të fillojmë nesër të rekrutojmë, kemi një planifikim, një kapacitet të parë për 1000 të “çmendurit” të moshave 12, deri në 18-vjeç që kanë ide, për muzikë, për dizajnin, për megatronik, për robotikë, për kodim, edhe ne si bashki do të sponsorizojmë me një shumë prej 500 mijë dollarësh si kontribut, për t’u siguruar që edhe ata që vijnë nga familje me të ardhura modeste, nga komuniteti rom dhe egjiptian, fëmijë të familjeve që janë prekur nga tërmeti dhe që janë në situatë të vështirë. Teksa qeveria po punon për të bërë shtëpitë, ne të kemi mundësi që në këtë shtëpi të të “çmendurve”, ne t’u japim një shans këtyre fëmijëve të mrekullueshëm. Edhe mezi pres që edhe kjo shtëpi të jetë një shtëpi suksesi”, nënvizoi Veliaj.

TUMO Tirana është një qendër pas shkolle për fëmijë të grupmoshës 12-18 vjeç të cilët do të kenë mundësinë të zbulojnë pasionin e tyre në 8 disiplina të ndryshme si Animation, Graphic Design, Game Development, Film Making, Music, Programming, Robotics, 3D Modelling. Ndërsa përgatitet projekti i tranformimit më të rëndësishëm në kryeqytet, Piramida e Tiranës, e cila do të jetë dhe shtëpia e përhershme e TUMO Tirana, përkohësisht TUMO Tirana do të operojë në Qendrën Arena.

Në TUMO Tirana, fëmijët do të zhvillojnë planin e tyre mësimor të personalizuar nëpërmjet një platforme virtuale të quajtur TUMO Path, e cila është krijuar për t’ju përshtatur kurrikulës së shumëllojshme. Kurrikula mundëson krijimin e planeve të personalizuara të të mësuarit në mënyrë të pavarur, nën supervizim të ekspertëve dhe mentorëve. Plani mësimor ofron zhvillimin e ëorkshop-eve dhe laboratorëve ku nxënësit thellojnë dijet dhe aftësitë e tyre në një temë zgjedhur prej tyre, punojnë në grup dhe krijojnë portofolot e tyre në formën e projekteve në modelim 3D, programim kompiuterik, robotikë, muzikë, etj.

Njohuritë që fëmijët fitojnë nëpërmjet kurseve dhe kurrikulave i ndihmojnë në zhvillimin e krijimtarisë dhe të menduarit analitik. Gjatë ëorkshop çdo nxënës ka një tutor roli i të cilit është të ndjekë pjesëmarrjen e fëmijës, ta inkurajojë në rritje të performancës dhe ta orientojë gjatë proçesit të eksplorimit të informacionit dhe krijimtarisë së fëmijës./tvklan.al