Ramiz Kukaj, është shqiptari i cili ka hapur rrjetin e njohur të restoranteve shqiptare “Çka Ka Qëllu”, në Amerikë. I ftuar në emisionin ‘Opinion’ në Tv Klan rrëfen dy “ngacmimet” që e shtynë atë që të hapte si fillim restorantin e tij të parë shqiptarë..
Kukaj gjatë fjalës së tij ka treguar historinë e emigracionit të tij ku kujton me nostalgji jetesën e tij në, Dibër, Milot dhe më vonë në Tiranë para se të largohej drejt Amerikës.
Ramiz Kukaj: Për të ikur nga ushtria, ika në Dibër, pastaj u vendosa në Tiranë. Kam jetuar në Shqipëri një vit e gjysme, pastaj në Amerikë. Fillimisht u vendosa në Milot. Nuk është se kishte ndonjë kulinari. Milotasit më kanë pritur shumë mirë. Kam qenë ndër shqiptarët e parë të Kosovës dhe mikpritja ka qenë e paparë. I kujtoj ato ditë, lumin e Matit, atë fërnetin e Shqipërisë akoma e kërkoj, bukën e zezë. Pastaj kam ikur në Tiranë një vit. Megjithëse ka qenë kohë e vështirë i kujtoj ato kohë.
Blendi Fevziu: Po ushqimi si ishte në Shqipërinë e ’93?
Ramiz Kukaj: Nuk ka qenë ndonjë gjë me thënë të drejtën.
Blendi Fevziu: Ti u vendose në New York. Si e hape restorantin?
Ramiz Kukaj: Kemi punuar gjithçka. Po siç e kam treguar historinë, kanë qenë dy momente që më kanë ngacmuar për të hapur restorant shqiptarë. Ka qenë kur Kastrioti më ka pyetur për një restorant shqiptar dhe në atë kohë kishte të dashurën greke dhe nuk pata çfarë t’i ofroj. Në atë kohë këtu kemi pronarin e picerisë, byrektores dhe ai ka qenë i vetmi vend që mundeshim t’i ofronim fëmijës me konsumu ushqim shqiptar. Ai ka qenë ngacmimi i parë.Pastaj ngacmimi i dytë ka qenë shumë më parë, kur kam ardhur kam dashur të takoj një njeri të afërt timin i cili ka qenë nga patriotët më të njohur dhe ai kishte një piceri italiane. Më tërheqi anash dhe i thash ‘hë mor burrë” dhe i thashë ça ka. Jo tha ‘këto mendojnë se unë jam italian’. Ajo më ka ngacmu sepse ai ishte një nga patriotët më të mëdhenj dhe shembull për ne dhe sa kishte ndryshu për interesa.
Një tjetër detaj interesant në restorantet “Çka Ka Qëllu” janë dhe prania e shumë artefakteve të grumbulluara nga Ramiz Kukaj ndër vite.
Ramiz Kukaj: Pastaj fillova të mbledh artefakte sepse mënyra si konceptova restorantin u dasht patjetër me u organizu dhe me e dekoru. Amerikanët e konsiderojnë si restorant muze sepse unë po ti mbledhësh të gjithë muzetë e Shqipërisë dhe Kosovës nuk posedojnë artefakte më shumë se unë. Flasim për 19 vite koleksionim.
Blendi Fevziu: Menuja nga vjen?
Ramiz Kukaj: Menuja vjen nga të gjitha zonat e Shqipërisë pa përjashtim. Kam filluar me kuzhinier shqiptarë dhe pastaj kam marrë kuzhinierë që kanë kryer fakultetin e kulinarisë. Këto që punojnë nëpër restorante punojnë me receta.
Ndërkohë sa i përket pjatës së preferuar të të huajve, Kukaj shprehet se ndryshon kohë pas kohe. Lidhur me Shqipërinë, ai thotë se ka ndryshuar mendimi për të për mirë dhe se njerëzit që shkojnë në restorant shprehen më me respekt për shqiptarët.
/tvklan.al