Një 38-vjeçar i cili ishte në kërkim për disa vepra penale u arrestua nga policia në Tropojë. Burime zyrtare të policisë thonë se në pranga ra “R. H., lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë”.

38-vjeçari akuzohet se së bashku me një tjetër person, më 25 Maj të vitit që lamë pas qëlloi me armë zjarri në drejtim të një lokali në fshatin Sopot, ku ndodheshin dy persona të tjerë, B. Rr. dhe G. Rr.

“Në përfundim të veprimeve hetimore janë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, R. H. dhe G. K. Gjithashtu është shpallur në kërkim G. Rr., i cili është kundërpërgjigjur me armë nga brenda lokalit, pas konfliktit për motive të dobëta”, thotë policia.

Ndaj të arrestuarit, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tropojë në datën 14 Korrik të 2020-s, ka dërguar urdhër për ekzekutimin e vendimit penal të datës 7 Korrik 2020 të Gjykatës së Rrethit Tropojë, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim“ mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.  

Aktualisht puna vijon ende për kapjen e dy personave të tjerë, ende në kërkim. /tvklan.al