Pas hapjes  gjatë ditës së djeshme të disa bizneseve si parukierë, estetistë, dentistë dhe dyqane në qendrat tregtare, nga e hëna tjetër më 18 Maj, qeveria ka lajmëruar rinisjen e punës për baret dhe restorantet që qëndruan të mbyllura për afro 2 muaj si pasojë e masave të mara nga Covid-19.

Në emisionin ‘Pro Business’ në Klan Plus, ekspertët financiarë e quajnë hap të duhur hapjen por janë skeptikë për ecurinë e këtij lloj aktiviteti sipas protokollit të ri, pasi pronarët e këtyre subjekteve nuk do arrijnë të përmbushin xhiron e duhur për të mbajtur punonjësit në punë.

Sipas ekspertëve, ende vazhdojnë të jenë të penalizuar nga hapja subjektet që nuk kanë ambiente jashtë.

“Rregullat duhet të zbatohen. Një nga pikat kryesore thotë që do të hapen vetëm ato që kanë verandë. Distanca ul pritshmëritë për xhiro”, shprehet konsulenti financiar Uran Derri.

Sipas ekspertit i cili është në kontakt të vazhdueshëm me sipërmarrësit që jep konsulencë,  kjo situatë nuk i shmang shkurtimet e punonjësve.

Shqetësim ngrihet edhe për garancinë sovrane pasi bizneset nuk po përfitojnë të gjitha që janë të interesuara për shkak të kushteve të bankave.

Teksa flet në emer të biznesve, eksperti Uran Derri thotë se ende qeveria nuk ka ofruar një paketë ekonomike.

Klan Plus