Majko përplaset me Alibeajn, ndërpritet mbledhja 

Çështja e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit vazhdon të jetë një çështje e nxehtë jo vetëm për viktimat e regjimit komunist, por dhe për vetë ligjvënësit.

Enkelejd Alibeaj që kërkon deklasifikim të të gjitha këtyre dosjeve duke i dhënë aksese të gjithë publikut, është përplasur ashpër me Pandeli Majkon që i kujton se një çështje me kaq ndjeshmëri të larte nuk duhet përdorur politikisht pasi ka pasoja dramatike sociale.

Por gjuha e përdorur nga të dy kaloi etikën parlamentare duke çuar në një ndërprerje të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve.

Enkelejd Alibeaj: Janë të mbyllura me dryn. Hapen dosjet për këdo.

Pandeli Majko: Ju doni që dosja të bëhet si Facebook, të hyjë kushdo, mos insistoni kaq shumë për t’i futur një bojë të djathtës që e keni bërë fërtele. Këto janë budallallëqe. Ik ere, vjen këtu diskuton si adoleshent.

Enkelejd Alibeaj: Të mbrosh ti të përndjekurit, kokrra e komunistit

Amendamenti i propozuar nga të djathtët u rrëzua nga socialistët të cilët vijuan mbledhjen duke miratuar nen për nen ligjin që i jep akses Autoritetit të Dosjeve që të rihapë hetimet për çdo funksionar pavarësisht se ka një certifikatë pastërtie nga komisionet Bezhani-Mezini në rastet kur kanë indicie të reja për përfshirjen e tyre në bashkëpunim me ish-Sigurimin e Shtetit.

Tv Klan