Pendarovski: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mos veçohen

Presidenti Stevo Pendarovski, duke folur për fillimin e negociatave me BE njoftoi se detyra e përbashkët e të dy vendeve, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është që ta bindin faktorin ndërkombëtar se duhet të marrim datë për negociata.

“Në pjesën e marrjes së datës mendoj se është e rëndësishme të përmend një gjë, kjo çështje është përsëritur, debatuar dhe analizuar shumë shpesh, rreth veçimit të mundshëm të Maqedonisë së Veriut, detyra juaj nuk është të agjitoni për veçimin, detyra jonë gjithashtu nuk është tu tregojmë evropianëve se duhet të na veçojnë. Në parim duhet të jemi për zgjerim me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, unë në disa takime muajt e fundit insistoj që edhe Bosnja e Hercegovina të mos harrohet sepse është shumë e rëndësishme për Ballkanin perëndimor edhe pse neve nuk na duket kështu”.  

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, duke komentuar një deklaratë të Kryeministrit Rama javë më parë theksoi se qëndrimi i tij nuk përputhet plotësisht me vizionin e rajonit, ku suksesi i njërit i ndihmon të gjithë. Ai shtoi se të gjitha vendet duhet të angazhohen për të pasur dinamikë pozitive.

“Mendoj se duhet të përpiqemi, mendoj se është e qartë, kjo na përshtatet politikisht, vizioni ynë për rajonin është të ecim të gjithë përpara, skenari më i mirë është dy nga dy, megjithatë presim mirëkuptim dhe mbështetje nga vendet fqinje sepse nënkuptohet që dy është më mirë se një dhe një është më mirë se zero”.

Duke folur për çështjen e Kosovës, presidenti Stevo Pendarovski theksoi për Shkupin janë të rëndësishme dy parime. Së pari legjitime për vendin do të jetë ajo që do të dakordohen Prishtina dhe Beogradi dhe së dyti, jo çdo zgjidhje mund të jetë e mirë, duke aluduar në ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve.

“Jo çdo zgjidhje midis Beogradit dhe Prishtinës, sidomos ajo që nënkupton ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është e mirë edhe për rajonin. Domethënë të gjithë ne duhet ta mbështesim tezën-pika e parë për çfarëdo zgjidhje të merren vesh dhe e dyta kjo zgjidhje duhet të kontribuojë në sigurinë rajonale, dhe jo ta lëkundë sigurinë dhe stabilitetin rajonal”.

Lidhur me anëtarësimin e vendit në NATO, Presidenti Pendarovski ka theksuar se thuajse 100%, Maqedonia e Veriut është në NATO dhe se pritet vetëm formimi i qeverisë në Spanjë, që punët të përfundojnë në Dhjetor.   

Tv Klan