Bizneset, të paqartë për rregullat. Ka pak prenotime

Edhe pse prej 1 Qershorit plazhet u hapën, në Vlorë administratorët e hoteleve janë ende të paqartë për mënyrën e funksionimit. Në rreth 90% të tyre, hotelet ende nuk kanë vendosur çadra, apo rregulluar ambientet e plazheve që u takon për t’i administruar.

“Plazhet ende nuk i kemi bërë gati sepse ideja është e paqartë se si do të funksionojë. Ne akoma po presim që të jemi të qartë edhe vetë me masat që duhen mbajtur dhe në momentin që jemi të qartë vetë fillojmë investojmë edhe te plazhet’, thonë administratorja e një hoteli.

“Nuk i kemi hapur ende çadrat për shkak se presim ende ato masat e fundit, distancat dhe sigurisht pastrimin e plazhit që bëhet nga bashkia”, shprehet një tjetër.

Mosnisja e përgatitjeve thonë se lidhet edhe me prenotimet e pakta.

“Aktualisht përsa i përket prenotimeve, kemi prenotimet e prapambetura dhe disa të reja, por janë shumë pak për të qEnë ato që duhet të ishin këtë sezon. Gjithçka varet nga prenotimet dhe në bazë të prenotimeve ne dimë sasinë e duhur të çadrave që do marrim në përdorim nga bashkia, apo gjërat e tjera”.

“Ky vit na gjeti pak më ndryshe sepse sezoni që ndodhi bllokoi të gjitha dhe rezervimet patëm një ‘boom’ me anulime nga të huajt, që ishte shumë e papritur për ne. Kemi shumë klientë, sidomos të huaj që kanë rezervuar dhe janë ende të paqartë nëse do mund të vijnë nga hapja e aeroporteve”.

Ndërsa në bregdetin e Durrësit, hoteleritë kanë filluar me vendosjen e çadrave, duke respektuar protokollet e Covid-19, me një numër më të reduktuar çadrash e shezllonesh dhe tre metra distancë nga njëra-tjetra.

“Jemi duke zbatuar protokollet e dhëna nga Ministri Klosi dhe nga Ministria e Turizmit. Patjetër që kemi ruajtur distancat e çadrave. Dhe po zbatojmë të gjithë rregullat higjienës. Normalisht që e redukton pak numrin e çadrave që kemi. Do kemi humbje financiare, por do kemi më shumë siguri në shëndetin e klientëve tanë”, shprehet menaxheri i një hoteli.

Në Durrës, 80 përqind e hapësirave pritet të shfrytëzohen nga privatët, ndërsa pjesa tjetër nga bashkia në funksion të publikut.

Tv Klan