Ministrja Ogerta Manastirliu tregoi mbrëmjen e kësaj të hëne në “Opinion”, 3 momentet e parashikuara në strategjinë në shkolla, pas nisjes së vitit të ri shkollor.

3 momente janë të parashikuara në strategjinë në shkolla. E para është parandalimi, të zbatojmë protokollet e sigurisë, masat e distancimit, vendosja e maskës dhe higjiena vetjake. E dyta është të qenit reaktivë, në momentin që ne kemi një indicie për një rast që mund të jetë i prekur ose i dyshuar me Covid, apo ka qenë pjesë e kontakteve, atëherë ne bëjmë testimin, hetimin epidemiologjik dhe izolimin e kontaktit. Komponenti i tretë është mbyllja graduale. Në momentin që do të ketë një rast në shkollë, do të fillohet me hetimin në një grup, më pas në klasë, në kat dhe më pas vlerësohet rasti për të marrë masa më drastike si mbyllja e institucionit”.

Ministrja tha më tej se nga studimet e bëra deri më tani, rezulton që fëmijët kanë një rol të ulët në transmetimin e virusit.

Nuk jemi të vetmit, ne e shohim që në Gjermani ka patur raste të transmetimit të virusit në shkolla. Shohim që në shumë vende po kthehet transmetimi komunitar, pra edhe rastet në shkolla janë shtuar. Por kemi një element që është pozitiv, që e tregojnë studimet e bëra deri më tani, që fëmijët kanë një rol të ulët në transmetimin e virusit. Nëse ruajmë dhe zbatojmë protokollet, atëherë kemi një risk të moderuar”./tvklan.al