Në Bruksel është zhvilluar Konferenca e 5-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, që miratoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë mbi 8 kapituj të përfshirë në Grupimin e 3-të: “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”.
Delegacioni shqiptar kryesohej nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, kryenegociatorja Majlinda Dhuka dhe ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.
Delegacioni i Bashkimit Evropian u drejtua nga ambasadorja Agnieszka Bartol, përfaqësuese e përhershme e Polonisë në BE, në emër të Presidencës Polake të Këshillit të BE-së, me pjesëmarrjen e drejtorit të përgjithshëm të Komisionit, Gert Jan Koopman.
Mbajtja e kësaj konference ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm historik përpara në negociatat e vendit tonë për anëtarësim në BE.
I pranishëm në këtë Konferencë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka reaguar në lidhje me këtë zhvillim të rëndësishëm.
“Shqipëria qëndron përkrah BE-së dhe BE-ja qëndron përkrah Shqipërisë. Një gurthemel i ri i hedhur me hapjen zyrtare të Grup-Kapitullit 3 – Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse – gjatë Konferencës së 5-të Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel. Hapja e 8 kapitujve të rinj sot reflekton progresin e bazuar në meritë të Shqipërisë dhe është një tregues i qartë se sa shumë kemi arritur brenda një kohe shumë të shkurtër. Rrugëtimi ynë drejt BE-së nuk ka qenë ndonjëherë kaq i qartë apo më i vendosur”.
Në grupimin 3 përfshihen tetë fusha ose kapituj: Kapitulli 10 (Transformimi Digjital dhe Media), Kapitulli 16 (Tatimet), Kapitulli 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare), Kapitulli 19 (Politika Sociale dhe Punësimi), Kapitulli 20 (Ndërmarrjet dhe Politika Industriale), Kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura), Kapitulli 29 (Bashkimi Doganor).
Përparimi në këto fusha është thelbësor për të garantuar stabilitetin fiskal të Shqipërisë, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit.
Këto kapituj përfshijnë politikën ekonomike, punësimin, tatimet, arsimin dhe kulturën, bashkimin doganor si dhe median e transformimin dixhital. Në konferencën e sotme, Bashkimi Europian gjithashtu vendosi standarde për mbylljen e përkohshme të këtyre kapitujve.
Kjo konferencë vjen pas hapjes së grupit të parë “Themeloret”, grupit të gjashtë “Marrëdhëniet e Jashtme” dhe grupit të dytë mbi “Tregun e Brendshëm” në Konferencat e Anëtarësimit me Shqipërinë të mbajtura përkatësisht më 15 Tetor 2024, 17 Dhjetor 2024 dhe 14 Prill 2025.
“Monitorimi i progresit në përafrimin dhe zbatimin e ‘acquis’ të BE-së dhe standardeve përkatëse evropiane do të vazhdojë gjatë gjithë negociatave. Konferenca e anëtarësimit do t’i rikthehet këtij grupi në një moment të përshtatshëm”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Bashkimit Europian.
Shqipëria synon mbylljen e kapitujve te negociatave ne vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë në BE në vitin 2030.
Klan News