Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar menjëherë pasi Hashim Thaçi dha dorëheqjen si President i Kosovës. Haradinaj thotë se UÇK-ja ishte faktor uniteti në vitet e sakrificës dhe krenarisë për Kosovën.

Në rrethanat e reja të krijuara ai bën thirrje që të tregohet uniteti kombëtar ndërsa thotë se bashkëluftëtarët e tij si Thaçi dhe Veseli do të kenë përkrahjen e popullit dhe të qeverisë pa asnjë rezervë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte faktor uniteti në vitet e krenarisë dhe sakrificës. Sot, të gjithë ne si popull, por edhe si liderë politik, duhet të tregojmë unitetin kombëtar, në rrethanat e reja të krijuara.  Presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarët e mi, që po përballen me gjyqësinë ndërkombëtare, duhet të kenë përkrahjen tonë dhe të qeverisë së Kosovës, pa asnjë rezervë. Duke besuar fuqishëm se do të vërtetohet pafajësia e tyre, Republika e Kosovës do të tejkalojë faqebardhë edhe këtë sfidë”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Më 24 Qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se më 24 Prill i kishte dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”. Në Korrik, Thaçi u mor në pyetje nga prokurorët në Hagë për katër ditë me radhë, ku foli për rolin e tij, përgjegjësitë e tij gjatë luftës, në periudhë që mbulon mandati i Gjykatës Speciale./tvklan.al