Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u takua sot me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin mes dy vendeve si dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Haradinaj, siç thuhet në një komunikatë për media, gjatë takimit me Gjukanoviç ka thënë se Kosova është e gatshme për arritjen e marrëveshjes finale ligjore obligative me Serbinë, “që do të thotë njohje reciproke”.

Dy liderët po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë e cila po mbahet në Mynih të Gjermanisë.

Haradinaj me presidentin e Malit të Zi po ashtu ka biseduar për raportet dypalëshe të të dyja vendeve, ku Haradinaj ka duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës “që bashkëpunimi të thellohet edhe më tutje në interes të të dy shteteve dhe popujve tanë”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, vlerësoi se është më interes të Kosovës dhe Malit të Zi, thellimi i bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së popujve të dy vendeve. Ai po ashtu shprehu përkrahjen e plotë për rrugën euro-atlantike të Kosovës.

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih po merr pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç./REL