Kanë mbetur edhe më pak se një muaj ku pritet të zhvillohet takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Paris, i ndërmjetësuar nga Franca dhe Gjermania. Para këtij takimi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka udhëtuar në Berlin ku nesër do të takohet me Kancelaren gjermane Angela Merkel.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, media nga zyra e kryeministrit njofton se në takim, pos bisedave për procesin e dialogut, Haradinaj do të kërkojë përkrahjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave. Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë, duke ruajtur integritetin territorial, citon komunikata Haradinajn.

Nevojën që qytetarët e Kosovës duhet të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së e ka cekur edhe sot presidenti i vendit Hashim Thaçi gjatë pjesëmarrjes së tij në një aktivitet sportiv.

“Le të mbetet kjo ditë e optimizmit dhe shpresës natyrisht duke ndodhë edhe liberalizimi i vizave shumë shpejtë që të rinjtë të lëvizin lirshëm dhe të përmbyllet ky diskriminim”.

Dy ditë më parë në Kosovë ishte një delegacioni i përbërë nga këshilltarë të kancelares gjermane dhe presidentit francez ku takuan krerët e shtetit të Kosovës para takimit të Parisit.

Tv Klan